Tiranë – Një grup studentësh ka zyrtarizuar sot krijimin e një force të re politike të quajtur Të Bashkuar për Shqipërinë, e cila vjen pas muajsh të tërë protestash në kryeqytet. Përmes një deklarate publike, nismëtarët bënë të ditur se kjo parti synon të bashkojë të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët e fushave të ndryshme në një alternativë të re politike dhe kushtetuese.
Duke prezantuar arsyet e kësaj lëvizjeje dhe lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me mobilizimin qytetar të gjysmës së fundit të vitit, grupi nismëtar deklaroi:
“Ne, një grup studentësh, të bashkuar me të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët, deklarojmë sot me zë dhe figurë krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’.
Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë kanë treguar që Shqipëria nuk është e lodhur. Ky zë u përket të gjithëve atyre që iu bashkuan protestave për Shqipërinë.
Partia do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës. Duam të bashkojmë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar”.
Gjatë daljes para mediave, përfaqësuesit e nismës njoftuan se në javët në vijim do të nisin një tur takimesh në qytete dhe fshatra të ndryshme të vendit, me synimin që programi politik i partisë së re të hartohet përmes konsultimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Kufizimi i mandateve të drejtuesve, heqja e çdo privilegji për themeluesit dhe hapja e vendimmarrjes ndaj shoqërisë u paraqitën si parimet bazë të funksionimit të kësaj force, të cilat një prej studentëve i shpjegoi në këtë mënyrë:
“Shqipëria nuk është lodër. Në javët që vijnë do të jemi në fshatra dhe qytete për të ndërtuar programin e kësaj partie. Shqiptarët meritojnë një politikë që i dëgjon, drejtues me mandate të kufizuara, jo privilegje për themeluesit. Ftojmë shqiptarët të bashkohen, se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet në një rreth të mbyllur, por nga të gjithë ne.
Kjo parti është nismë e studentëve, ka edhe pedagogë dhe persona të aftë në fusha të ndryshme që duan të japin kontributin e tyre”.
