TIRANË — Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të enjte vendimin përfundimtar për kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, duke e dënuar me 100 orë punë në interes publik nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Në seancat e mëparshme, Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte kërkuar një masë dënimi më të rëndë ndaj tij, konkretisht dënimin me një vit burgim si dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat pesëvjeçar.
Sipas dosjes hetimore të ngritur nga organi i akuzës, Shkreli dyshohej se gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u kishte premtuar banorëve të fshatit Stajkë ndërtimin e një linje të re elektrike në këmbim të mbështetjes me votë për Partinë Socialdemokrate.
Nga ana e tij, gjatë procesit gjyqësor, kryebashkiaku i Vaut të Dejës i ka hedhur poshtë akuzat, duke argumentuar se nuk ka ofruar asnjë përfitim të paligjshëm në këmbim të votës dhe se ndërhyrjet në infrastrukturën e zonës kanë qenë pjesë e punës dhe angazhimeve të tij normale në krye të institucionit vendor.
