Gjykata Penale e Trikalasë në Greqi ka dhënë dënimin maksimal për 40-vjeçarin shqiptar Pandeli Nakoleci, duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marjola Nakoleci, ngjarje e ndodhur në fund të gushtit 2025 në Volos.
Sipas raportimeve të mediave greke, 36-vjeçarja u vra në banesën e familjes, ku bashkëshorti e goditi disa herë me sende të forta. Ngjarja e rëndë ndodhi në prani të katër fëmijëve të çiftit.
Vendimi u shpall të hënën, pas një procesi gjyqësor që kishte nisur disa ditë më parë. Trupi gjykues e shpalli Nakolecin fajtor për vrasje me dashje, të kryer në gjendje të qetë shpirtërore. Përveç burgimit të përjetshëm, ai u dënua edhe me një vit burg për mbajtje dhe përdorim të paligjshëm të armëve.
Gjatë shqyrtimit të çështjes, akuza pretendoi se 40-vjeçari kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikologjike, verbale dhe fizike ndaj bashkëshortes, ndërsa vrasja dyshohet se ishte planifikuar paraprakisht.
Në anën tjetër, i pandehuri u përpoq të justifikonte veprimet e tij duke pretenduar se vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe se konfliktet familjare kishin ndikuar në sjelljen e tij.
Mbrojtja kërkoi që gjykata të merrte në konsideratë gjendjen e tij psikike dhe të njihte përgjegjësinë e reduktuar penale, duke argumentuar se ai kishte një çrregullim të diagnostikuar dhe merrte trajtim me medikamente edhe në burg.
Megjithatë, prokuroria kundërshtoi këto pretendime dhe kërkoi dënimin e tij për vrasje me dashje. Gjykata pranoi kërkesën e akuzës, duke rrëzuar argumentet e mbrojtjes dhe kërkesën për rrethana lehtësuese.
Katër fëmijët e çiftit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë procesit, por nuk u thirrën për të dëshmuar.
