PRRENJAS- Një pjesë e qytetit të Prrenjasit vijon të jetë pa energji elektrike prej afro 24 orësh, për shkak të një defekti të konstatuar në rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Problemi është evidentuar mesditën e së hënës, rreth orës 12:00, por pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve teknike, furnizimi me energji ende nuk është normalizuar.
Sipas OSHEE-së, shkaku i ndërprerjes është një dëmtim në një linjë nëntokësore, identifikimi i të cilit ka rezultuar i vështirë dhe ka vonuar nisjen e punimeve të riparimit. Për ndërhyrjen janë angazhuar tre grupe pune, të cilat po punojnë për lokalizimin dhe riparimin e defektit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike.
OSHEE ka bërë me dije se furnizimi pritet të rikthehet përpara mesditës së sotme. Ndërkohë, ndërprerja e zgjatur ka krijuar vështirësi të shumta për banorët dhe bizneset e zonës, të cilat janë detyruar të përballen me mungesën e energjisë për gati një ditë.
Situata është rënduar edhe më shumë nga temperaturat e ulëta. Gjatë natës së kaluar, në Prrenjas termometri ka shënuar vetëm 1 gradë Celsius, duke shtuar vështirësitë për familjet që përdorin energjinë elektrike për ngrohje
