Djali i rrëmben fitoren babait në Elbasan Arena. Elbasani mposht Dinamon në minutën e 85-të

0
21

ELBASAN – Epitaux vendos gjithçka në minutën e 85-të dhe i dhuron Elbasanit një fitore me shumë peshë ndaj Dinamo City-t. Një përballje me histori të veçantë në pankina, mes Glen Dajës dhe ish-ekipit ku punonte përkrah të atit, Ilir Daja.

Djali mposht babanë, nxënësi fiton ndaj profesorit! AF Elbasani ka marrë një fitore me aromë të veçantë ndaj Dinamo City-t, duke triumfuar 1-0 në një sfidë që u vendos vetëm pesë minuta para fundit. Goli i Y. Epitaux në minutën e 85-të i dhuroi verdhebluve tri pikë me shumë vlerë në garën e Abissnet Superiore.

Por kjo nuk ishte një fitore e zakonshme. Në pankinën e Elbasanit ishte Glen Daja, djali i trajnerit të njohur Ilir Daja, ndërsa përballë tij qëndronte pikërisht skuadra ku ai kishte punuar si ndihmëstrajner përkrah të atit gjatë dy fazave të para të kampionatit.

Kështu, përballja mori edhe një dimension familjar: Glen Daja kundër ish-ekipit të babait të tij, në një duel ku këtë herë rolet ishin në kahe të kundërta. Nxënësi doli fitues ndaj profesorit, të paktën në këtë përballje të veçantë të pankinave.

Me këtë sukses, Elbasani shkon në kuotën e 17 pikëve pas 12 javësh, duke u ngjitur në vendin e katërt, ndërsa Dinamo mbetet po me 17 pikë në pozicionin e pestë. Një gol në fund, tri pikë dhe një histori që i dha kësaj sfide më shumë se thjesht një rezultat futbolli.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu