Superiorja, Elbasani pret Dinamo City

0
20

TIRANE – Kategoria Superiore rikthehet këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 12-të. Pesë sfida do të zhvillohen në harkun e tri ditëve, me pikë të rëndësishme në lojë si për skuadrat që synojnë kreun, ashtu edhe për ato që luftojnë për të shmangur zonën e fundit të renditjes.

Vëmendja e së premtes do të përqendrohet në Korçë, ku Skënderbeu pret Egnatian kryesuese. Korçarët vijnë në këtë takim me gjashtë ndeshje radhazi pa humbje në të gjitha kompeticionet, ndërsa në kampionat kanë regjistruar tri fitore dhe dy barazime në pesë javët e fundit. Nga ana tjetër, rrogozhinasit kanë fituar tri ndeshjet e fundit dhe synojnë të vazhdojnë serinë pozitive për të ruajtur distancën nga ndjekësit.

Një tjetër përballje me interes është ajo mes Elbasanit dhe Dinamos. Elbasanasit kërkojnë të reagojnë pas humbjes ndaj Vllaznisë, ndërsa dinamovitët synojnë të ndërpresin një ecuri negative, me dy barazime dhe një humbje në tri ndeshjet e fundit.

Në ‘Niko Dovana’ të Durrësit, Teuta do të presë Laçin në një duel mes dy skuadrave që kanë nevojë për pikë. Durrsakët kërkojnë t’i japin fund serisë prej tri humbjesh radhazi, ndërsa kurbinasit, që renditen në vendin e parafundit, synojnë të reagojnë pas dy disfatave të fundit.

Interes të veçantë paraqet edhe përballja Partizani-Vllaznia. Të kuqtë kanë grumbulluar 10 pikë, ndërsa shkodranët kanë 12, duke e kthyer këtë takim në një duel direkt për pozicionet në renditje.

Java e 12-të do të mbyllet të dielën me sfidën Vora-Tirana. Të dyja skuadrat do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të përmbushur objektivat e tyre në kampionat.

Pas dy javësh ndërprerje për shkak të angazhimeve të kombëtareve, Superliga rikthehet kështu me një fundjavë ku çdo pikë mund të ketë peshë në garën për kreun dhe mbijetesën.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu