Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha gjatë një konference për mediat në selinë e PD-së se pagat e ulëta duhet të rriten me 50%, ndërsa ato të mesme me 30%. Sa i përket pensioneve, ai kërkoi që asnjë pension të mos jetë më i ulët se 200 euro.
Gjithashtu, lideri demokrat propozoi përgjysmimin e menjëhershëm të të gjitha shpenzimeve operative të administratës publike.
Sipas Berishës, kjo masë nuk do të ndikonte në funksionimin e administratës, por do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi më transparent dhe në uljen e korrupsionit.
“Rritje me 50 për qind të rrogave të ulëta. Me 30 për qind të rrogave të mesme.
Asnjë qindarkë rrogat e larta. Asnjë qindarkë! Po, rrogat e ulëta do rriten. Asnjë pension në Shqipëri nën 200 euro. Ky thotë janë 10 miliardë, a e dini ju sa është fondi i përgjithshëm i rrogave?
Është rreth 103 miliardë lekë apo është 1 miliard e 300 milionë. Rritja e rrogave të ulëta në 50 për qind dhe rrogave të mesme në 30 për qind përballohet pa asnjë vështirësi. Pa asnjë pasojë sepse këta kanë lënë për tenderat dhe për prokurimet 2.2 miliardë euro.
Aty ku këta vjedhin, sipas KLSH, 90 për qind të fondit të investimit. Zhduket.
Këta pra lënë për investime, i rrisin në mënyrën më të pabazuar dhe të tjerët, pensionistët, rrogëulëtit i lënë të numërojnë kafshatat. Asnjë qindarkë. Rritja e parashikuar e rrogave është qesharake. Pra rrogat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind. Rrogat e mesme me 30 për qind. Asnjë qindarkë rrogat e larta.
Pse? Se janë më të lartat në rajon në paturpësinë më të madhe. Në qoftë se një rrogë mesatare, krahasuar me mesataren e BE, është 15-20 për qind e saj, rroga e lartë shkon ndonjëherë edhe më e lartë se rrogat e BE, ndonjëherë shkon tek 70 për qind e tyre. Ato nuk duhet të preken. Ato të mbahen aty ky janë”, tha Berisha.
