DURRËS- Vështirësitë për të tërhequr pensionet vijojnë të shqetësojnë të moshuarit në Durrës. Në filialin e Postës Shqiptare në zonën e Plazhit, pensionistët presin për orë të tëra në radhë, por në shumë raste largohen pa marrë pensionet e tyre.
Problematika lidhet me përfundimin e fondit ditor të parave në sportele, çka bën që një pjesë e qytetarëve të mos arrijnë të kryejnë tërheqjen e parave. Përgjigjja që marrin është të rikthehen ditën tjetër, duke u përballur sërish me pritje dhe pasiguri. Situata nuk paraqitet problematike vetëm në zonën e Plazhit, pasi të njëjtat vështirësi raportohen edhe në lagje të tjera të qytetit bregdetar.
“Jo vetëm aty dhe në lagje të tjera të Durrësit, situata është e ngjashme”, shprehet një pensionist.
Fluksi i krijuar në sportele përfshin jo vetëm pensionistët që kanë datën e përcaktuar për tërheqjen e parave, por edhe ata që janë detyruar ta shtyjnë marrjen e pensionit për shkak të mungesës në ditët e mëparshme. Pensionistët kërkojnë ndërhyrjen e Postës Shqiptare për të garantuar furnizimin e sporteleve me fonde të mjaftueshme, në mënyrë që të shmangen radhët e gjata dhe detyrimi për t’u kthyer disa herë për të marrë pensionin



