“Dua t’i ndez një qiri babait dhe t’i them sa më mungon”

0
12

Para 35 vjetësh, forcat serbe pushtuan Vukovarin, një qytet kroat me arkitekturë baroke pranë Danubit. Në mesin e mbrojtësve të qytetit kishte edhe shqiptarë – ashtu siç kishte edhe viktima civile shqiptare.

Në vjeshtën e vitit 1991, qyteti i Vukovarit në Sllavoninë Lindore të Kroacisë, dikur një qendër industriale dhe kulturore me rreth 45’000 banorë, u shndërrua në fushëbetejën më të përgjakshme në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Disa media ndërkombëtare e quajtën “Stalingradi kroat”.

Ajo që komanda ushtarake në Beograd e kishte planifikuar si një operacion të shpejtë, disaditor, për të pushtuar Kroacinë, u kthye në një rrethim 87-ditor të Vukovarit. Përballë një force sulmuese prej rreth 30’000 ushtarësh, të pajisur me mbi 600 tanke, qindra gryka artilerie, aviacion dhe flotë lumore në Danub, qëndronin vetëm rreth 1800 mbrojtës kroatë me armatim të lehtë. Gjatë kësaj periudhe, mbi qytet u hodhën më shumë se 6,5 milionë predha – deri në 11’000 në ditë – duke mos lënë asnjë ndërtesë apo rrugë të paprekur. Ndërkaq, Kulla e Ujit, e lartë 50 metra, mbeti simbol i pathyeshmërisë, pasi nuk arritën ta rrëzonin as pas më shumë se 600 goditjeve të drejtpërdrejta.

Pas tre muajsh rezistence mbinjerëzore, rrethimi u shtrëngua plotësisht në mesin e nëntorit 1991. Më 18 nëntor u thye mbrojtja në qendër të qytetit, ndërsa më 20 nëntor luftëtarët e fundit në Borovo Naselje dhe Mitnica dorëzuan armët për të shpëtuar mijëra civilë të strehuar në kombinatin “Borovo”.

Rënia e Vukovarit u pasua nga krime masive, plaçkitje, dëbime dhe dërgimin e rreth 7000 mbrojtësve e civilëve në kampet serbe të përqendrimit në Serbi. Edhe pse Vukovari u mposht ushtarakisht, tridhjetë e pesë vjet më vonë ai mbetet një pikë kthese në historinë moderne kroate, pasi sakrifica e tij i dha vendit kohën e çmuar për t’u organizuar dhe për t’u mbrojtur.

Vukovari është edhe një dramë shqiptare. Kur ushtarët dhe paramilitarët serbë u futën në qytet, ata arrestuan edhe pacientët e spitalit të Vukovarit, mbi 200 syresh, dhe i dërguan në një objekt të një kombinati bujqësor në periferi të qytetit. Aty i pushkatuan të gjithë. Sot aty gjendet një muze që kujton viktimat. Mes shumë emrave gjenden edhe emra shqiptarësh nga Vukovari, të vrarë nga soldateska e Beogradit. Në këtë qytet jetonin disa familje shqiptare, të cilat i kishin aty bizneset e tyre: furra buke, restorante, dyqane këpucësh, mishtore. Gjatë luftës, shumë prej tyre humbën pronat.

Në tmerrin e Vukovarit, shqiptarët ishin gjithandej, në të gjitha frontet. Pra, kishte shqiptarë që banonin e jetonin në Vukovar dhe që u vranë nga ushtarët serbë. Kishte shqiptarë që iu bashkuan forcave kroate për të mbrojtur Vukovarin. Dhe kishte rekrutë shqiptarë që kishin mbetur në armatën e serbizuar jugosllave dhe që zhvillonin betejën e jetës së tyre: si të iknin nga kjo ushtri e urryer dhe të shpëtonin kokën? Oficerët serbë i kanë shitur për shuma të majme kokat e ushtarëve shqiptarë.

Disa gjëra, mes shumë të tjerave, më kanë mbetur në kujtesë nga qëndrimet e mia në Vukovar: një shqiptar nga Gostivari që shiste hamburgerë në një kamp-shtëpizë dhe priste që autoritetet kroate t’ia lëshonin lejen për të ndërtuar shtëpinë e shkatërruar. Shtëpinë e kishte pasur në qendër, por autoritetet, sipas tij, e terrorizonin me burokraci. Një kujtim tjetër: Vukovari është vendlindja e Lavoslav Ružičkës, i cili, si profesor në ETH të Zürichut, mori Çmimin Nobel për Kimi. Në Vukovar, shtëpia e Ružičkës është muze.

Kjo nuk është e tëra, natyrisht. Zëri më kumbues shqiptar në Vukovar padyshim është zëri i Klaudija Gojanit. Në gusht të vitit 1991, babai i saj, Jozo, vendosi që gruan dhe fëmijët t’i dërgonte në Gjermani, ndërsa vetë qëndroi në Vukovar për të mbrojtur qytetin. Kur forcat serbe u futën në qytet, bashkë me Jozon morën peng edhe qindra banorë të tjerë, mes tyre edhe gazetarin legjendar kroat Sinisha Gllavasheviq, kronikat e të cilit nga Vukovari i rrethuar kanë hyrë në historinë e Kroacisë.

Kur iku me nënën në Gjermani më 1991, Klaudija ishte foshnje. Sot ajo është gazetare e Radios Kroate të Vukovarit, të cilës ia kishte dhënë famën Sinisha Gllavasheviq. Vite më parë, Klaudija Gojani i kishte deklaruar gazetës “Jutarnji list”: “Jemi shqiptarë, babai ka ardhur këtu nga Klina e Kosovës, atëbotë ishte 16-vjeçar. Në Vukovar ai kishte shumë familjarë. Kemi pasur mishtoren tonë dhe një dyqan këpucësh. Ata jetonin një jetë të lumtur dhe të qetë, askush nuk e ka pritur atë që ndodhi më 1991. E keqja ndihej, nëna e kishte ndier, andaj e luti babain t’i linte të gjitha dhe të niseshin për në Gjermani. Ai tha se Kroacia i ka dhënë çdo gjë, jo Gjermania, prandaj do të qëndronte këtu për të luftuar për Kroacinë”.

Eshtrat e Jozo Gojanit nuk janë gjetur ende. Klaudija nuk e ka njohur kurrë babain e saj. Ende e kërkon. “Dua t’ia ndez një qiri dhe t’i them sa më mungon”, thotë ajo për mediat kroate.

Pas pushtimit të Vukovarit forcat serbe organizuan një vizitë të gazetarëve të huaj në këtë qytet. Mes tyre atëbotë ishte edhe Cyrill Stieger nga gazeta “Neue Zürcher Zeitung”. Ai e ka përshkruar kështu situatën që e kishte parë në Vukovar: “Edhe tre ditë pas pushtimit të Vukovarit, gazetarëve të sjellë aty nga Armata Popullore Jugosllave u shfaqej një pamje tmerri. Lagje të tëra ishin shkatërruar dhe shumë shtëpi ishin djegur plotësisht. I gjithë qyteti ishte i mbushur me rrënoja dhe gërmadha. Në anë të rrugës qëndronin të shtrira kafshë të ngordhura, ndërsa para një shtëpie të shkatërruar nga plumbat ndodheshin dy kufoma.

Në një oborr të brendshëm përballë spitalit, gazetarëve iu prezantuan rreth 20 kufoma, shumica prej tyre të karbonizuara dhe të gjymtuara. Disa kishin një etiketë me numër në këmbë. Me gjasë, ishin pacientë të spitalit. Këtë ia kishin bërë ‘fashistët kroatë’ popullsisë civile serbe, tha një oficer i armatës jugosllave. Kur u pyet se nga e dinte ai që viktimat ishin serbë dhe nëse kishte ende rëndësi kjo përballë atij mjerimi njerëzor, ai ktheu shpinën menjëherë. Në një shfaqje propagandistike të pashembullt, që nuk mund të tejkalohej për nga cinizmi, oficerët e armatës jugosllave u përpoqën t’ua shisnin gazetarëve pushtimin e qytetit si një ‘fitore të madhe’, ndërsa ata endeshin si të mpirë mes rrënojave.

Sipas tyre, në Vukovar nuk ishte mbrojtur Kroacia, siç pretendonte Zagrebi; përkundrazi, qyteti ishte shndërruar në një kështjellë me qëllim që prej andej të përhapej fashizmi. Lufta u ishte imponuar serbëve dhe ushtria jugosllave e kishte ‘çliruar qytetin pas një lufte heroike nga duart e hordhive fashiste’. Të gjitha këto oficerët i thoshin me tonin e bindjes së plotë dhe me gjoksin të fryrë nga krenaria. Nën një shi të rrëmbyeshëm, gazetarët u ushqyen nga kuzhina fushore e ushtrisë jugosllave përpara rrënojave të zeza të hotelit ‘Dunav’, dhe si kujtim secili pjesëmarrës mori një stilolaps me mbishkrimin JNA”. Kështu dukeshin “fitoret serbe” më 1991.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu