Policia reagon zyrtarisht për aksidentin tragjik ku humbi jetën Shefi i Krimeve të Rënda, Ermal Lula. Makina e tij u përplas me një skrep

0
11

Vlorë, 16 nëntor 2026 – Policia e Vlorës ka dalë me një reagim zyrtar duke zbardhur detaje të plota lidhur me aksidentin fatal të regjistruar mbrëmjen e sotme, rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori” (aksi Fier–Vlorë). Viktima e kësaj ngjarjeje të rëndë është identifikuar si Ermal Lula, i cili mbante detyrën e Shefit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë (DVP) Vlorë.

Sipas njoftimit zyrtar të uniformave blu, oficeri Ermal Lula po udhëtonte me automjetin e tij tip “Toyota” në drejtim të Vlorës, kur dyshohet se për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi mjetin, është përplasur fuqishëm me një mjet të rëndë pune tip skrep. Drejtuesi i skrepit është identifikuar si 63-vjeçari Thanas Poçaj.

Si pasojë e goditjes së rëndë, shefi i Krimeve të Rënda, Ermal Lula, ka ndërruar jetë menjëherë në vendngjarje. Ndërkohë, 63-vjeçari Thanas Poçaj ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha.

Grupi hetimor po vijon punën në vendin e ngjarjes nën drejtimin e Prokurorisë për të rindërtuar dinamikën e plotë dhe për të përcaktuar shkakun përfundimtar të kësaj përplasjeje fatale.

Njoftimi i plotë i Policisë:

“Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Thanas Poçaj, 63 vjeç.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë. Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu