GJIRI I LALZIT- Një diskutim mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Pandeli Majko është zhvilluar gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Sipas raportimeve, Majko ka ngritur shqetësimin për rreth 1 mijë video intime që përflitet se ndodhen në duart e biznesmenit Ergys Agasi, i cili është i akuzuar në dosjen “AKSHI”. Në këto video dyshohet se mund të jenë të përfshirë edhe persona që kanë funksione në Partinë Socialiste.
Gjatë diskutimit, Majko mësohet se ka kërkuar që personat e përfshirë të distancohen dhe të largohen nga funksionet që mbajnë, në një kohë kur vendi po përgatitet për zgjedhjet vendore.
“Duhet të marrim në konsideratë edhe çfarë mund të bëjë SPAK deri në maj, kur janë zgjedhjet lokal. Se qarkullojnë edhe nja 1000 video intime, ku janë të përfshirë edhe persona këtu. Kush është i përfshirë të largohet. Në kushtet që jemi rrezikojmë ta humbim Bashkinë e Tiranës. Duhet të gjejmë një kandidat me potencial dhe fitues”, mësohet të ketë deklaruar Majko.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur duke kujtuar publikimin e fotografive të tij nudo gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2007, kur kandidonte për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Tiranës.
“Pa merak Pandi se kur më dolën mua nudot, vetëm ti dhe mamaja ime u shqetësuat, por vetëm u rritëm në sondazhe e vota”, mësohet të ketë thënë Rama.



