TIRANË – Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ndërmarrë masa administrative ndaj 26 pjesëmarrësve në protestën e zhvilluar një ditë më parë, pasi gjatë tubimit kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar lëvizjen e mjeteve të transportit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit të mbajtur pasditen e djeshme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit kanë shkelur rregullat e qarkullimit dhe rendit publik, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të policisë përmes megafonit për lirimin e rrugës.
Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, autoritetet kanë plotësuar 26 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative. Për secilin prej shtetasve të identifikuar është vendosur masa administrative me gjobë në vlerën e 5 000 lekëve.



