Miratohet bonusi i qirasë për familjet e prekur nga shpërthimi në Elbasan, Demo e Llatja takojnë banorët

0
29

ELBASAN — Autoritete shtetërore dhe ato vendore kanë zbarkuar këtë të martë në Elbasan për të inspektuar nga afër situatën pas shpërthimit tragjik që la dy persona të vdekur dhe dhjetë të plagosur.

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, së bashku me kryebashkiakun Gledian Llatja, u takuan me banorët e pallatit të dëmtuar për t’u garantuar zgjidhje të shpejtë për strehimin dhe kompensimet.

“Strukturat e qeverisë qendrore dhe pushteti vendor janë të angazhuara plotësisht për t’u ardhur në ndihmë familjarëve të prekur dhe për të siguruar një zgjidhje afatgjatë,” deklaroi ministri Demo gjatë komunikimit me banorët.

Në lidhje me menaxhimin e ndërtesave kolektive, Demo sqaroi se kuadri ligjor për administratorët e pallateve ekziston, por se zbatimi i plotë i rregulloreve mbetet një proces në vazhdim nga ana e bashkive. Kreu i Ministrisë së Brendshme hodhi gjithashtu poshtë pretendimet mbi efikasitetin e repartit zjarrfikës, duke vlerësuar ndërhyrjen e trupave operative gjatë emergjencës.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja njoftoi se Këshilli Bashkiak ka miratuar menjëherë bonusin e qirasë për të gjithë banorët që mbetën pa strehë.

“Kemi miratuar vendimin për bonusin e qirasë, i cili mbulon nevojat e familjeve në bazë të sipërfaqes së banesës dhe numrit të anëtarëve. Paralelisht po presim akt-ekspertimin e Institutit të Ndërtimit për shkallën e dëmtimeve në strukturë,” u shpreh Llatja.

Në vendngjarje ka nisur grumbullimi i dokumentacionit përkatës nga familjarët për të përshpejtuar lëvrimin e fondeve të emergjencës civile dhe procesin e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu