Ballist Morina ka udhëtuar drejt Romës për të vizituar në spital Erjon Vishkullin, të riun që po merr trajtim mjekësor pas dëmtimit të rëndë në sy gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar në Tiranë disa ditë më parë.
I riu nga Kukësi, i njohur për ngritjen e dronit me flamurin shqiptar gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd më 14 tetor 2014, ka ndarë me të një moment simbolik në rrjetet sociale. Gjatë vizitës në spital, Morina i ka dhuruar Vishkullit një fanellë me flamurin që u bë më i njohuri në botë pas incidentit në stadiumin e Partizanit të Beogradit.
Kjo dhuratë u shoqërua edhe me një dedikim me mesazh patriotik: “Për autoktonin Erjon Vishkulli. Rroftë shpirti i shqiptarit. Përshëndetje fitores, Zoti është shqiptar”.
Vishkulli u transportua me urgjencë drejt Romës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje të vështirë mjekësore pas plagosjes së pësuar. Sipas informacioneve të bëra publike, mjekët kanë arritur t’i shpëtojnë syrin dhe ai tashmë ka nisur procesin e rikuperimit për përmirësimin e shikimit.




