Sekretariati i Etikës pas mbledhjes së zhvilluar këtë të premte ka pranuar kërkesën e Partisë Socialiste dhe ka përjashtuar me 10 ditë nga seancat plenare dhe Komisionet parlamentare kreun e PD, Sali Berishën.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të premte, sekretariati ka përjashtuar edhe Bledion Nallbatin, Ivi Kason, Blendi Himçin, Xhelal Mziun, Albana Vokshin.
Ndryshe nga Berisha, përjashtimi i 5 deputetëve të PD është me 60 ditë. Ndërkohë sekretariati ka falur deputeten Klodiana Çapja duke mos e përjashtuar me 60 ditë siç ishte kërkuar nga PS.
Kërkesa e PS erdhi pas situatës së tensionuar të krijuar në seancën plenare. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren, ndezën flakadanë dhe përdorën bilbila për të penguar zhvillimin normal të rendit të ditës. Kjo solli ndërprerjen e seancës dy herë radhazi për shkak të pamundësisë së vijimit të punimeve.



