BallinaKryesoreRama i përgjigjet pyetjeve të studentit: Gati të flasim ballë për ballë,...

Rama i përgjigjet pyetjeve të studentit: Gati të flasim ballë për ballë, dhuna armike e lirisë

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në të cilën i përgjigjet pyetjeve të një studenti protestues. Në përgjigjet e tij, Rama e cilëson dhunën si armike të lirisë dhe shprehet se është i gatshëm të dialogojë me këdo që ka qëndrime të kundërta me të.

Rama mbron reagimin e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve, duke argumentuar se përdorimi i gazit lotsjellës, ujit dhe mjeteve të tjera ishte reagim ndaj gurëve, molotovëve dhe mjeteve të tjera të përdorura kundër efektivëve.

Rama e ka regjistruar videon teksa po udhëtonte drejt Budvës, ku do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit.

Pyetjet e studentit dhe përgjigjet e Ramës

“Studenti: Zoti kryeministër, me kë doni të dialogoni?

Rama: Dua dialog me këdo që beson se unë jam i keq, po ama dhuna është një armik i lirisë së të gjithëve.

Studenti: Me të rinjtë që policia i qëlloi me plumb gome dhe i mbyti me gaz lotsjellës, apo me studentët që i mbani me premtime që nga viti 2018?

Rama: Policia u qëllua me gurë dhe me zjarr, e me lloj-lloj saçmesh e vidash me llastiqe, nga ato primitive, dhe reagoi me gaz lotsjellës dhe me ujë. E në ndonjë rast edhe me shkop dhe me plumb gome. Mjete të çdo policie në çdo vend demokratik. Dhe kur policët e plagosur janë më shumë se dyfishi i protestuesve të plagosur, ndryshe nga të gjitha vendet ku ka ndodhur dhe ndodh këto ditë diçka e ngjashme, çdo pretendim për dhunë nga policia mbi studentët është djallëzor. Jam gati ta bëjmë bilancin e zotimeve të vitit 2018, ama ballë për ballë dhe me fakte, jo me retorikë.

Studenti: Mos ndoshta tani u kujtuat që të flisnit për flamingot?

Rama: Unë nuk u kujtova tani të flas për flamingot. Jo, kam bërë dhe publikuar një reflektim të tërë, pasi i kam ndjekur, dëgjuar, analizuar, dhe flas për ata të qershorit, se ata ishin për mua flamingot. Madje, sot, ndër të tjera rezultate të atij reflektimi, ka dhe një dritare që lindi si pjesë e tij. Flamingo Mirror.al, pasqyrë e flamingos.

Studenti: Tani u kujtuat për dialog?

Rama: Lexoje pak datën e këtij inserti të shkurtër.

Rama – insert: Për djemtë dhe të rinjtë që besojnë vërtet se po bëjnë një revolucion, unë kam vetëm simpati dhe jam gjithnjë gati të flas nëse ata duan të flasin. Por mbetem plotësisht mirëkuptues, ndërsa ata s’duan të flasin.

Rama: Ka disa të tillë, ndërkohë që për katër muaj i kam dëgjuar më shumë se kushdo. Unë atje lart në zyrë, ata poshtë dritares. “O në burg, o në litar” fillonte puna ime në mëngjes me disa që rrinin atje te cepi i bulevardit dhe ulërinin, e mbyllnin në mbrëmje me “burg” e me “poshtë komunizmi”, e me plot bejte, përvetime e kërcënime.

Studenti: Dhe përsëri ju nuk e lini arrogancën mënjanë. Prapë përpiqeni të na thyeni inteligjencën, sikur ne nuk dimë të argumentojmë.

Rama: Arrogancë është të thuash: “Populli nuk është ai që të votojë ty, po jemi ne poshtë dritares tënde dhe do të marrim peng Tiranën po nuk e braktise detyrën”, pavarësisht se ke kontratë me shumicën e popullit shqiptar. Aq më tepër që unë nuk kam dëgjuar argumente, apo kam dëgjuar sharje, kam dëgjuar ulërima, kërcënime për këdo që nuk mendon si ju, cilëtdo qofshin, online apo offline, dhe manipulime të pafundme me ndihmën e duarve të atyre që nuk e duan Shqipërinë të ngjitet më lart.

Studenti: A doni t’ju jap 420 mijë argumente të tjera, aq sa shqiptarë janë larguar që nga viti 2011?

Rama: Me kënaqësi, po. Duhet të m’i japësh 420 mijë argumente poshtë, sy më sy, ama edhe me durimin për të dëgjuar dhe jo vetëm me nxitimin për të folur e për të propaganduar.

Studenti: A doni të dini pse ne nuk kemi besim te dialogu juaj? Sepse na e treguat besën në vitin 2018, kur ju premtuat studentëve pesëpërqindëshin, që edhe sot e keni pa paguar faturën.

Rama: Kështu thoni ju, por lexojeni Paktin për Universitetin, që ishte dokumenti që e kurorëzoi atë protestë studentore, dhe mos ngatërroni kërkesat e shumta që u hodhën lart e poshtë asokohe me zotimet e qarta dhe të shkruara që mori qeveria.

Studenti: Ne nuk i urrejmë policët.

Rama: E besoj që ju nuk i urreni policët, sepse ju i hidhni gurët dhe molotovët në emër të një urrejtjeje më të lartë, parimore, gati-gati idealiste. Sipas jush, urrejtja e Antifas, urrejtja e Black Block-ve, urrejtja e të gjithë atyre që janë lëshuar nëpër Europë si një lukuni që nuk di fare se ku do të dalë, por di ama që duhet të shkatërrojë. Dhe, në fakt, dhuna më e egër dhe pasojat më çnjerëzore në kurrizin e popujve dhe vendeve kanë ardhur pikërisht nga ai lloj urrejtjeje.

Studenti: Si t’ju besojmë ju, kur këmbëza shtypet aq lehtë kundrejt protestuesve, të rinjve, të miturve?

Rama: E mor mik, po kur të rrihte këmba që ti e imiton pa t’u trembur syri, madje mu aty ku je ulur ti, nga ku protestuesit mbeteshin të vdekur dhe tërhiqeshin të plagosur nga bulevardi. Megjithatë, nuk shkulej asnjë gur në trotuar dhe nuk i gjuhej me molotov policisë, dhe nuk shkatërroheshin bizneset e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Ndërsa të miturit as që nuk afroheshin dot në ato protesta, sepse kush protestonte nuk përdorte të mitur dhe nuk paguhej kapuç i zi për të sakatuar e për të djegur policët dhe për të marrë peng një popull të tërë, duke i risjellë fantazmën e një të kaluare që nuk vjen më.

Studenti: Ja pra, kjo është përvoja jonë.

Rama: Kjo, në fakt, është përvoja e Instagram-eve dhe TikTok-eve tuaja, e amplifikuar nga ekranet e korruptuara të pronarëve të mediave, ku policia është dhunuesja, ndërsa studentët janë të dhunuarit. Ndërkohë që përvoja e mjekëve dhe infermierëve të spitaleve të Tiranës është se policët e lënduar janë dy herë e gjysmë më shumë sesa protestuesit dhe kalimtarët e marrë bashkë. Ndërsa studentët e vërtetë mes të lënduarve janë ku e ku më pak akoma.

Studenti: Ky është mosbesimi që ju keni kultivuar, duke zgjedhur njerëzit e gabuar për postet që emëruat ju. Ju, kryeministër.

Rama: Jeni absolutisht në të drejtën tuaj të jeni mosbesues, ndërkohë që zgjedhjet e mia janë e drejta ime dhe, ndër dhjetëra e dhjetëra e dhjetëra, nuk e di sa janë bërë, gjashtëdhjeta më shumë ministra në trembëdhjetë vjet, me siguri ka dhe zgjedhje të gabuara dhe nuk kam kurrsesi se si ta mohoj këtë.

Studenti: Mbani përgjegjësinë kushtetuese për ministrat që zgjidhni.

Rama: Edhe?

Studenti: Përgjegjësia penale është personale, po, dakord. Po përgjegjësia politike nuk fshihet pas saj.

Rama: Absolutisht jo. Përgjegjësia ime politike është të garantoj se as unë dhe as shumica qeverisëse nuk bën avokatin e askujt nga radhët tona që vendosen në akuzë nga drejtësia. Dhe kur të më tregosh një kryeministër apo një president në një vend demokratik që mban ndonjë lloj tjetër përgjegjësie personale sesa kjo që po them, atëherë i kthehemi përsëri këtij argumenti me kënaqësi.

Studenti: Po ju, kur do të mbani përgjegjësi?

Rama: Këtë do ta them kur të vish në dialog. Mos ki frikë nga dialogu, distancohu nga gurët dhe nga zjarri. Ik nga rruga e dhunës, miku im”.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular