“Nuk do të jeni vetëm”, Skënder Hita u dërgon mesazh motivues efektivëve të Policisë së Shtetit

0
24

Kreu i Policisë vlerëson përkushtimin e uniformave blu, dënon aktet e dhunës gjatë protestave dhe u uron shërim të shpejtë efektivëve të plagosur.

TIRANË, 19 tetor 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka dërguar një mesazh mbështetës punonjësve të policisë, të cilët prej shtatë ditësh po përballen me situata të vështira, tensione dhe akte dhune gjatë protestave.

Përmes një letre drejtuar efektivëve, Hita shpreh mirënjohjen dhe respektin për punën e tyre, duke vënë në dukje orët e gjata të shërbimit dhe lëndimet e pësuara nga disa prej punonjësve gjatë përmbushjes së detyrës.

Kreu i Policisë së Shtetit thekson se asnjë sulm ndaj uniformave blu nuk është i pranueshëm dhe se aktet e dhunës nuk mund të justifikohen. Njëkohësisht, ai u kërkon efektivëve të vijojnë detyrën me profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.

Në mesazhin e tij, Hita nënvizon edhe anën njerëzore të punonjësve të policisë, duke kujtuar se pas çdo uniforme qëndron një njeri dhe një familje që e pret në shtëpi me shqetësim.

“U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe ju siguroj se nuk do të jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave”, shprehet Hita, duke rikonfirmuar mbështetjen e tij për efektivët.

Në përfundim të letrës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i fton punonjësit të qëndrojnë të bashkuar dhe besnikë ndaj misionit të tyre, ndërsa shpreh krenarinë për të gjithë ata që i shërbejnë vendit me ndershmëri dhe përkushtim.

Mesazhi i plotë i Skënder Hitës për efektivët:
“Prej shtatë ditësh po përballeni me situata të vështira, me orë të gjata shërbimi, tension dhe akte të rënda dhune. Shumë prej jush janë lënduar në krye të detyrës.

Sot dua t’ju shpreh personalisht mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen time të plotë. E di se pas çdo uniforme është një njeri, një prind, një bashkëshort, një bir apo një bijë, që dikush e pret me shqetësim në shtëpi.

Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet.

Ju kërkoj të vijoni detyrën me profesionalizëm, guxim dhe vendosmëri, duke respektuar në çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari.

U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe ju siguroj se nuk do të jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave.

Jam krenar për çdo punonjës policie që i shërben vendit me ndershmëri dhe përkushtim.

Qëndroni të fortë, të bashkuar dhe besnikë ndaj misionit tuaj.”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu