Ivan Gvozdenoviç nuk do të jetë më trajner i Elbasanit, pasi ka vendosur të japë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës pas humbjes 2-1 kundër Skënderbeut. Tekniku serb formalizoi largimin e tij pas ecurisë negative në këtë fillim sezoni, ku verdheblutë kanë grumbulluar vetëm një fitore në shtatë javët e para të kampionatit.
I pyetur mbi të ardhmen e tij, trajneri deklaroi shkurtimisht se ka marrë vendimin për t’u larguar nga stoli i ekipit:
“Unë jap dorëheqjen tani, do të presim pak dhe pastaj flasim”, u shpreh Ivan Gvozdenoviç.
Gvozdenoviç e mori drejtimin e Elbasanit në dhjetor të vitit 2024, periudhë gjatë së cilës e udhëhoqi skuadrën deri në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për edicionin 2024-2025. Drejtuesit e klubit verdheblu pritet të zyrtarizojnë ndërprerjen e bashkëpunimit dhe të përcaktojnë pasuesin në stol për vazhdimësinë e kampionatit.



