GREQI – Qeveria greke po përgatit një paketë të re masash për kufizimin e aksesit të fëmijëve nën 15 vjeç në rrjetet sociale Instagram, Facebook dhe TikTok. Sipas planit të propozuar, ndalimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, me synimin për të mbrojtur shëndetin mendor dhe fizik të të miturve dhe për të parandaluar varësinë nga teknologjia.
Projektligji parashikon që platformat të kenë përgjegjësinë për verifikimin e moshës së përdoruesve, përmes metodave të besueshme dhe në përputhje me rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale. Në kuadër të kësaj nisme, autoritetet greke po shqyrtojnë edhe mundësinë e përfshirjes së Snapchat dhe platformave të tjera në një fazë të mëvonshme.
Ministri i Shtetit, Akis Skertsos deklaroi se mbrojtja e fëmijëve në internet është përgjegjësi e shtetit dhe detyrim i kompanive që operojnë platformat digjitale. Ai paralajmëroi se qeveria është e gatshme të përballet edhe me kompanitë e mëdha të teknologjisë për të garantuar zbatimin e masave.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, theksoi se përdorimi problematik i rrjeteve sociale mund të ndikojë në gjumin, përqendrimin, vetëvlerësimin dhe marrëdhëniet shoqërore të fëmijëve. Sipas tij, kufizimi i moshës synon të parandalojë këto pasoja dhe t’u krijojë të miturve më shumë hapësirë për të mësuar, luajtur dhe zhvilluar marrëdhënie në jetën reale.
Nisma është pjesë e strategjisë kombëtare të Greqisë për mbrojtjen e fëmijëve në internet dhe lidhet gjithashtu me diskutimet në nivel europian për vendosjen e një kufiri të përbashkët moshe dhe forcimin e sigurisë në shërbimet digjitale
