Ekipi i Elbasanit ka arritur të marrë tri pikët e para për këtë sezon në “Abissnet Superiore”, pasi mposhti Egnatian me rezultatin 2-1 në përballjen e javës së katërt. Kjo përballje shënoi fitoren e parë për verdheblutë, ndërsa për skuadrën e Rrogozhinës ishte humbja e parë në kampionat.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 41-të nga Nikaj, i cili mposhti portierin Dajsinani pas një asistimi nga Mazari. Egnatia barazoi shifrat tri minuta më vonë me anë të Montenegro-s, i cili realizoi me kokë pas krosimit të Loukilit. Megjithatë, në minutën e dytë të shtesës së pjesës së parë, Nikaj shënoi golin e dytë personal pas një aksioni individual, duke rikthyer avantazhin për vendasit.
Pjesa e dytë u karakterizua nga përpjekjet e Egnatias për të barazuar sfidën, por mbrojtja e Elbasanit arriti të ruante epërsinë deri në fund. Pavarësisht tensioneve dhe protestave për disa vendime të gjyqtarit në minutat e fundit, rezultati 2-1 mbeti i paprekur.




