ZVICËR- Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka vijuar me akuzat e tij të forta ndaj kryeministrit Edi Rama. Në një intervistë me “Çim Peka Live”, Ahmetaj e përshkruar situatën brenda Partisë Socialiste si një parti të mbërthyer nga qelizat kancerogjene të kryeministrit Edi Rama.
Ahmetaj deklaroi se Rama, e ka humbur fuqinë politike dhe e krahasoi me një kioskë të viteve ’90 që nuk ka më çfarë të shesë.
“Unë i kërkoja votat për Partinë Socialiste, për atë Parti Socialiste që akoma unë besoja nuk ishte mbërthyer nga tentakulat kanceroze të kreut të organizatës. Por do të flasim për Partinë Socialiste, më pas po flas për situatën time. Pra, sot kreu i organizatës ngjan me një kioskë të vitit ’91, që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha. Ja ka dalë! Ja ka dalë! Po do të vijmë te ai moment. Ja ka dalë. Kemi dhe ne gabimet tona. Po jo faje, as krime. Unë po, unë kam përgjegjësi të lartë morale, se e kam theksuar 100 herë, kam punuar pa asnjë hile që ai… ai të fitonte. Dhe Partia Socialiste të fitonte, së bashku me të. Sepse, do ta them dhe më pas, do ta përsëris sot, ky njeri e filloi rrugëtimin në krye të qeverisë si shpresa e shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin. Dhe sot, ja ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të Partisë Socialiste. Unë nuk e di, është e trishtë, nëse Partia Socialiste do të shpëtojë nga metastazat e tij. Nuk e di”, u shpreh Ahmetaj.




