Zjarri në Himarë në përmasa apokaliptike, nis evakuimi i banorëve dhe turistëve, Tavo: Largohuni nga banesat, rrezikohet jeta

HIMARË – Situata paraqitet alarmante në Himarë, ku flakët e zjarrit kanë përfshirë kodrat pranë zonave të banuara, duke rrezikuar banesa dhe struktura turistike.

Përhapja e shpejtë e flakëve, e favorizuar nga era e fortë, ka rënduar ndjeshëm situatën në terren. Për shkak të rrezikut, ka nisur evakuimi i banorëve, ndërsa po largohen edhe turistët që ndodhen në hotelet e zonës.

Në kushtet e përkeqësimit të situatës, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka bërë një thirrje urgjente për banorët që të largohen nga banesat, bizneset apo ambientet e tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën.

“Për shkak të zjarrit të papritur që po përparon drejt zonave të banuara, ju bëjmë thirrje të largoheni nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që mund të përbëjnë rrezik për jetën”, thuhet në apelin e kryebashkiakut.

Tavo u ka kërkuar qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve, ndërsa në rast nevoje të kërkojnë ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, forcave zjarrfikëse dhe urgjencës mjekësore.

Në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat zjarrfikëse, ndërsa në ndihmë të tyre janë nisur edhe mjete nga bashkitë fqinje. Ndërhyrja po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit dhe erës, e cila favorizon përhapjen e flakëve.

Frika kryesore mbetet avancimi i zjarrit drejt zonave të banuara dhe strukturave turistike, ndërsa ekipet e emergjencave po punojnë për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e banorëve e turistëve.