Makina bie në greminë, një viktimë dhe dy të plagosur në Mirditë

Aksidenti në Mirditë, policia jep detaje: Një i mitur dhe një 20-vjeçar transportohen me helikopter në Tiranë

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në Kurbnesh të Mirditës, ku një i ri ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Në makinë po udhëtonin tre të rinj, të cilët po ktheheshin nga Lura.

Dyshohet se drejtuesi automjetit ka humbur kontrollin, duke bërë që makina të përfundojë në greminë.

Ndërkohë, policia ka dhënë detaje paraprake në lidhje me aksidentin e ndodhur, ku humbi jetën një pasagjer dhe mbetën të lënduar një i mitur dhe drejtuesi i automjetit.

Sipas policisë drejtuesi i automjetit dhe një 15-vjeçar janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

“Në aksin rrugor Lurë–Rrëshen, në fshatin Kurbnesh, Mirditë, automjeti që drejtohej nga shtetasi A. K., rreth 20 vjeç, ka dalë nga rruga.

Si pasojë, shtetasi C. N., rreth 20 vjeç, pasagjer në automjet, ka ndërruar jetë. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. K., 20 vjeç, dhe pasagjeri tjetër, i mitur, rreth 15 vjeç, janë transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit”, njofton policia.