Të shtëna me armë në pistën e garave në Zvicër, vritet një 22-vjeçare dhe plagosen pesë persona

Të shtëna me armë në pistën e garave me kuaj në Zvicër, vritet 22-vjeçarja

30 Gusht 2026, 17:24Kosova&Bota
SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ngjarja ndodhi në qytetin Aarau
Një 22-vjeçare ka humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur pasi u qëllua me armë zjarri gjatë natës në një aktivitet në veri të Zvicrës, ndërsa policia ka nisur një operacion për kapjen e autorit, i cili ende nuk është identifikuar.

Policia Kantonale e Aargaut njoftoi se puna për kapjen e autorit të dyshuar është duke vijuar. Sipas autoriteteve, motivi i sulmit dhe rrethanat e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Të shtënat ndodhën pranë pistës së garave me kuaj në zonën Schachen të qytetit Aarau, rreth 46 kilometra në perëndim të Zyrihut. Në atë zonë ishte planifikuar të zhvillohej një festë, e cila do të vazhdonte deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Pas incidentit, autoritetet rrethuan një zonë të gjerë që përfshin pistën e garave, pishinën e qytetit dhe fushën sportive. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos afrohen në zonën e bllokuar, ndërsa një numër i madh forcash policore është vendosur edhe në pjesë të tjera përreth Aaraut, si masë paraprake.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu nga dëshmitarët që të dorëzojnë fotografi dhe video të regjistruara në vendngjarje, me qëllim që të ndihmojnë hetimin dhe identifikimin e autorit. Pamjet e publikuara nga Aarau gjatë orëve të para të së dielës treguan një prani të madhe të forcave të sigurisë. Në një prej rrugëve u pa edhe një automjet i blinduar që kishte bllokuar kalimin.

Në operacion, përveç policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse, u angazhua edhe njësia rajonale e reagimit ndaj katastrofave, KKE. Sipas transmetuesit zviceran SRF, gjatë orëve të para të mëngjesit në zonë u vu re edhe një helikopter i ushtrisë zvicerane, i cili po mbikëqyrte territorin.

Policia vijon kërkimet për autorin, ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shkaktoi sulmin dhe nëse personi i dyshuar ka vepruar i vetëm.