Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partia Socialiste së Vlorës, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të strukturave të partisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ismaili tha se drejtimi i strukturës së PS-së në Vlorë për 1 vit e 3 muaj ka qenë njëkohësisht privilegj dhe përgjegjësi, duke theksuar se këtë detyrë është përpjekur ta ushtrojë me përkushtim, korrektësi dhe integritet.
Ajo bëri të ditur se largimi nga posti i bashkëkryetares synon t’i hapë rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste në Vlorë.
“Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës”, shkruan Ismaili.
Në fund të reagimit, ministrja falënderoi anëtarët, drejtuesit dhe bashkëpunëtorët e Partisë Socialiste në Vlorë për mbështetjen dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe, duke vlerësuar kontributin e tyre në modelin e drejtimit të bazuar te përgjegjësia dhe respekti për njerëzit.




