VIDEO/ Vodhi Audi Q5 të lënë ndezur, përplasi disa makina dhe goditi policin gjatë arratisjes, arrestohet italiani

Një shtetas italian është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një automjet tip Audi Q5 dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, është përplasur me disa automjete dhe ka goditur një punonjës policie.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 29 gushtit, rreth orës 19:00, në rrugën dytësore Durrës-Tiranë. Sipas policisë, pronari i automjetit kishte zbritur për pak çaste dhe e kishte lënë makinën të ndezur.

I dyshuari, një 35-vjeçar italian, ka hipur në Audi Q5 dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Tiranës, janë vënë në ndjekje të tij.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 35-vjeçari ka kryer manovra të rrezikshme dhe ka përplasur disa automjete. Në vijim të ndjekjes, ai ka goditur edhe një punonjës policie me automjet.

Efektivi ka marrë dëmtime të lehta në krah dhe, sipas autoriteteve, nuk ka pësuar plagë të rënda.

Pas ndjekjes, policia ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit italian A. E., 35 vjeç, banues në Itali. Automjeti i vjedhur, një Audi Q5, është sekuestruar.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se 35-vjeçari drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Autoritetet kanë kryer veprimet e mëtejshme procedurale, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.

Operacioni për arrestimin e tij u kodua “Last Escape”.

Ngjarja është dokumentuar edhe në video, ku shfaqen momentet e ndjekjes dhe ndërhyrjes së policisë.