Tragjike/ Ranë në kontakt me rrymën elektrike, ndërron jetë roja i lokalit, në gjendje të rëndë elektriçisti

VAU I DEJËS- Një ngjarje e rëndë me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e rëndë të një tjetri është shënuar në fshatin Karmë të Vaut të Dejës. Sipas të dhënave paraprake nga policia, incidenti tragjik ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali bar-kafe në pronësi të Gj. S., ku dy persona kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Viktimë e këtij aksidenti ka mbetur S. P., 40 vjeç, i cili punonte si roje i lokalit. Ai ka ndërruar jetë gjatë transportimit me urgjencë drejt spitalit për shkak të dëmtimeve të rënda nga rryma elektrike. Ndërkohë, personi tjetër i përfshirë në ngjarje, D. D., 46 vjeç, me profesion elektricist, ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve teknike që çuan në kontaktin fatal me energjinë elektrike.

Njoftimi i Policisë:

“Sipas informacionit paraprak, shtetasi S. P., 40 vjeç, i cili punonte si roje i lokalit në pronësi të shtetasit Gj. S., dhe D. D., 46 vjeç, me profesion elektricist, kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike.

Si pasojë e incidentit, 40-vjeçari S. P. ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital, ndërsa 46-vjeçari D. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në incidentin tragjik.”, njoftoi Policia.