DURRËS- Janë publikuar pamjet e para të të shumëkërkuarit Ergys Agasi menjëherë pas arrestimit të tij në Durrës, ku ai shfaqet me pranga në duar dhe dukshëm i tensionuar brenda furgonit të policisë teksa transportohej drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës.
Arrestimi i tij u realizua gjatë një operacioni në zonën e Plepave, ku Agasi u kap brenda një automjeti në shoqërinë e ish-zyrtarit të policisë Uljan Shpataraku, me të cilin mësohet se kishte udhëtuar nga Elbasani drejt bregdetit përpara se të rrethoheshin nga forcat e rendit.
I shpallur prej kohësh në kërkim zyrtar nga SPAK për skandalin e abuzimeve me tenderat e AKSHI-t dhe akuzat për grup të strukturuar kriminal, Agasi po i nënshtrohet procedurave ligjore në kryeqytet, ndërsa raportohet se gjatë shoqërimit ka pasur edhe debate me efektivët e policisë.




