Kush ishte portugezi që u vra në Ksamil? “Milton” i njohur si njeri i dashur dhe i respektuar, në moshën 11-vjeçare ishte zhvendosur në Nicë

KSAMIL- Detaje të reja janë zbardhur mbi jetën e Luis Miguel Varela Mendes, 20-vjeçarit portugez që u vra të martën e 18 gushtit te ‘Principotes’ në Ksamil. Sipas gazetës franceze Nice Matin, i riu ishte zhvendosur në Nicë në moshën 11-vjeçare dhe kishte ndjekur shkollën Vernier, përpara se të vendosej në lagjen Gambetta. Në shoqatën La Semeuse, 20-vjeçari njihej nga të gjithë me nofkën e tij, “Milton”.

Në artikull theksohet se lajmi i vrasjes së tij me thikë nga 29-vjeçari Sokrat Vata, truproje i ‘Principotes’, ishte tronditës për komunitetin. I riu ndiqej dhe mbështetej nga ekipet e qendrës sociale La Ruche, në rrugën Trachel, ku merrte pjesë në aktivitetet e posaçme për adoleshentët dhe të rinjtë

“U informova mjaft shpejt. Miltoni i ri ishte shumë i dashur dhe shumë i respektuar në lagje. Ai kishte një rol si ndërmjetës. Gjithmonë përpiqej të qetësonte konfliktet”, tregon Christophe Tassano, drejtor i përgjithshëm i shoqatës.

Nice Matin shkruan më tej se Shqipëria nuk duhej të ishte destinacioni i pushimeve për Mendes. Miltoni dhe miqtë e tij kishin një tjetër plan. Ata duhej të niseshin për në Spanjë më 26 gusht, në kuadër të programit “Sac à dos”, të organizuar nga fondi i ndihmave familjare. Por, për shkak të vonesave në organizimin e këtij udhëtimi, grupi vendosi të udhëtonte me paratë e veta drejt Shqipërisë, pa hequr dorë nga udhëtimi për në Spanjë. Sipas Christophe Tassano, mësuesit ishin përpjekur t’i bindnin që të mos shkonin në Shqipëri.

Që prej ditës kur morën vesh për vrasjen, këta të fundit janë mobilizuar menjëherë për të mbështetur familjen. Drejtoresha e qendrës sociale La Semeuse po ofron mbështetjen e saj gjatë kësaj situate të dhimbshme. Edhe Metropoli Nice Côte d’Azur është vënë në dijeni dhe ka angazhuar ndërmjetësit për qetësinë publike.

“Ne gjithashtu i drejtojmë personat që kanë nevojë drejt shërbimeve të ndihmës dhe mbështetjes për viktimat, të ngritura në bashkëpunim me Metropolin. Ekipi i parandalimit të specializuar ka forcuar praninë në zonat e prekura dhe mban një lidhje të ngushtë me të rinjtë, përfshirë edhe ata që ndodheshin me Miltonin në Shqipëri,” shpjegon Christophe Tassano.

Në artikull thuhet se familja e Mendes po kalonte një periudhë të vështirë për shkak të apartamentit të tyre të shkatërruar së fundmi nga një zjarr. Prindërit e 20-vjeçarit janë akomoduar në një hotel në lagjen Saint-Charles. Në artikull përmenden edhe procedurat e kushtueshme për riatdhesimin e trupit të të riut nga Shqipëria në Portugali. Ata gjithashtu duhet të kenë mundësi të asistohen nga një avokat në Shqipëri për të ndjekur një procedurë gjyqësore që sapo ka nisur.

Në bashkëpunim me familjen është hapur një llogari për mbledhje fondesh për t’i ndihmuar ata të përballojnë këto shpenzime. Deri të premten, ishin mbledhur mbi 6,300 euro. Veç La Semeuse, është aktivizuar edhe shoqata Dix Étoiles, e cila është shumë e zëshme në mbështetje të komunitetit të Kepit të Gjelbër në Nicë dhe janë krah të afërmve të Mendes për procedurat e shumta që i presin.

Si ndodhi ngjarja?

Luis Miguel Varela Mendes me shtetësi portugeze, por me banim në Francë u vra rreth orës orës 05:15 të 18 gushtit në lokalin “Principote”. Konflikti kishte nisur pas një feste në klubin “Principote” dhe më pas ka vijuar në plazhin e “Paradise”. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç, dyshohet se gjatë konfliktit e ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin portugez, ndërsa David Heurtevent 29 vjeç, i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte. Të dy akuzohen për vrasje me dashje në bashkëpunim.

Para goditjes me thikë, në konflikt u përfshinë edhe katër kamarierët e “Principote” Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, dhe Murat Zhabina, të cilët sipas policisë goditën me grushte 20-vjeçarin dhe më pas u larguan. Në lokal ndodheshin edhe punonjës policie. Miosid Matushaj, Luciano Seferi, punonjës i IEVP Fier, Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër dhe Kristi Koshi, të cilët kishin rolin e bodyguard-ëve.

Sipas hetimeve, ata nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin dhe nuk njoftuan policinë pas ngjarjes. Për këtë arsye, akuzohen për moskallëzim të krimit, ndërsa Miosid Matushaj edhe për mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme. Gjatë ngjarjes, ndodhej edhe pronari i lokalit ‘Principote’, Bekim Bulica, i cili pas krimit u largua. Ai është shpallur në kërkim për moskallëzim të krimit.

Personat e arrestuar

Në pranga janë vënë 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Të arrestuarit janë, krahas autorit Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, dy turqit që ndihmuan autorin Nuh Mahmutoglu 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak 31 vjeçe; Serxhi Selimi, 24 vjeç; Ervis Bunci, 24 vjeç; Ildi Cekani, 21 vjeç; dhe Murat Zhabina 27 vjeç, kamarierë në lokalin “Principote”; si dhe Miosid Matushaj 24 vjeç; Luciano Seferi 44 vjeç; Romeo Shehu 35 vjeç dhe Kristi Koshi 29 vjeç, të cilët ishin pjesë e sigurisë/bodyguard-ëve të lokalit në fjalë. Në kërkim u shpallën David Heurtevent 29 vjeç dhe pronari i lokalit, Bekim Bulica, 36 vjeç.

Autori i krimit u vu në pranga nga policia në Levan të Fierit, në bagazhin e një automjeti, që drejtohej nga shtetasja turke Ezgi Perlak, 31 vjeçe, ndërsa pasagjer ishte shtetasi Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, po ashtu turk. Sipas policisë, të dy kishin njohje me Sokrat Vatën dhe e kishin fshehur në makinë me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës. Për këtë arsye, ata janë arrestuar për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Autori përpara Gjykatës

Autori Sokrat Vata, një ditë më parë doli përpara gjykatës dhe u njoh me masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ai u kërkoi falje familjarëve të viktimës duke shprehur pendesë. Gjatë dëshmisë së tij, Vata tha se grupi i turistëve të huaj i kishte sharë dhe goditur kur stafi i kishte kërkuar të mbanin qetësi dhe se thikën ia kishte marrë portugezit teksa përpiqej ta neutralizonte në përpjekje për tu vetëmbrojtur.

Gjykata caktoi gjithashtu burg pa afat për dy turqit, Ezgi Parlak dhe Nuh Mahmutoglu që tentuan ta largonin Vatën nga vendngjarja duke e fshehur në bagazhin e makinës së tyre. Kamerierët Ildi Cekani, Serxhi Selimi dhe Ervis Bunci që goditën me grushte 20-vjeçarin, do të qëndrojnë në burg për 45 ditë. Truprojat Luciano Seferi, Moisid Matushaj, Romeo Shehu dhe Kristo Kosho si dhe kamarieri Murat Zhabina, u lanë në detyrim paraqitjeje. Ndërsa, Pronari Bekim Bulica dhe David Heurtevent, gjithashtu punonjës i ‘Principotes’, janë në kërkim.