PS nis “sprintin” politik në Pogradec, Rama mbledh drejtuesit dhe ministrat: Në shtator pritet Asambleja Kombëtare
Ditët e gushtit po shkojnë drejt fundit, ndërsa brenda Partisë Socialiste kanë nisur përgatitjet për një periudhë intensive politike. Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë gjatë kësaj fundjave dhe në fillim të javës së ardhshme disa takime të rëndësishme në Pogradec, ku në fokus do të jenë dokumentet e brendshme të partisë, performanca e qeverisë dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Të dielën, në orën 11:30, në vilën qeveritare në Pogradec pritet të mblidhen 12 drejtuesit politikë të qarqeve, së bashku me kryetarët socialistë të komisioneve parlamentare.
Në fokus të takimit pritet të jenë dokumenti “Besa” dhe një tjetër dokument i njohur si “Prania e Besës”, të dorëzuar pranë grupit parlamentar socialist në fund të korrikut.
Nga ky takim, Rama pritet të marrë vlerësime dhe propozime mbi të dyja dokumentet, me synim pasurimin dhe përpunimin e tyre deri në hartimin e një dokumenti përfundimtar.
Pjesë e diskutimeve pritet të jenë edhe përgatitjet politike dhe organizative për zgjedhjet lokale të vitit 2027.
Darkë me drejtuesit dhe ministrat
Axhenda e kryeministrit në Pogradec do të vijojë edhe gjatë mbrëmjes së së dielës. Rama pritet të zhvillojë një darkë me drejtuesit politikë të qarqeve, kryetarët e komisioneve parlamentare dhe ministrat.
Takimi pritet të shërbejë si një moment koordinimi përpara mbledhjes së qeverisë të hënën, ku ministrat do t’i nënshtrohen një vlerësimi të punës së tyre gjatë muajve të parë të vitit.
Ministrat përballen me “provimin e performancës”
Të hënën, në vilën qeveritare të Pogradecit, pritet të zhvillohet një mbledhje informale e qeverisë, e njohur si “retreat”.
Ministrat do të raportojnë për ecurinë e dikastereve të tyre gjatë periudhës janar-gusht 2026.
Ndryshe nga takimet e mëparshme të këtij formati, këtë herë nuk pritet të marrin pjesë zëvendësministrat. Në takim pritet të jenë ministrat dhe drejtuesit e agjencive në varësi të tyre.
Përveç bilancit të punës së dikastereve, vëmendje pritet t’i kushtohet edhe prezencës publike të ministrave, përfshirë aktivitetin e tyre në media dhe në rrjetet sociale.
Në shtator pritet Asambleja Kombëtare
“Sprinti” politik i Edi Ramës nuk pritet të përfundojë me takimet në Pogradec.
Sipas burimeve brenda Partisë Socialiste, në javën e parë të shtatorit pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së.
Mbledhjet e mëparshme të Asamblesë janë përdorur nga Rama edhe për të bërë ndryshime në kabinetin qeveritar. Për këtë arsye, mbledhja e radhës pritet të ndiqet me vëmendje, veçanërisht nëse kryeministri vendos të ndërhyjë në drejtimin e disa ministrive.
Në skenarët që qarkullojnë brenda PS-së përfshihet edhe mundësia e ndryshimeve në drejtimin e të paktën gjashtë ministrive.
Takimet e kësaj fundjave në Pogradec, “retreat”-i i qeverisë dhe mbledhja e pritshme e Asamblesë Kombëtare në shtator pritet të përcaktojnë tonin politik të Partisë Socialiste për muajt në vijim.
Numërimi mbrapsht ka nisur.




