TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka raportuar se, gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten ende aktive në disa qarqe si Tiranë, Dibër, Gjirokastër, Mirditë, Shkodër e Elbasan.
Mësohet se, për përballimin e situatës janë angazhuar mbi 800 efektivë të emergjencave, policisë, ushtrisë e vullnetarë, si dhe 52 mjete zjarrfikëse e mjete ushtarake nga toka.
Nga ajri operacioni po mbështetet nga 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”, ku një nga ndërhyrjet më masive po kryhet në Gurë-Lurë të Dibrës për të mbrojtur banesat.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, megjithëse terreni në disa zona si në malet e Përmetit paraqitet i vështirë, përpjekjet e koordinuara kanë bërë të mundur mënjanimin e rrezikut për zonat e banuara.
Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:
“Ministria e Mbrojtjes informon se, gjatë 24 orëve të fundit, janë raportuar 29 vatra zjarri nga të cilat 11 vatra aktive, 3 monitorim dhe 4 nën kontroll. Për përballimin e situatës vijon një angazhim i gjerë i strukturave të Mbrojtjes Civile, me 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake/AdZM/Shërbimi Pyjor/ASHP, 206 vullnetarë dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.
Janë angazhuar gjithashtu 43 automjete zjarrfikëse, ndërsa FA ka vënë në dispozicion 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive dhe angazhimi:
Dajt, Tiranë – Vijon puna në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Priskë e Madhe nuk raportohet rrezik për banesat.
Përmet, Gjirokastër – Mbeten aktive vatrat në malin e Nëmerçkës dhe në malin Dhëmbel. Terreni paraqitet i vështirë, ndërsa forcat zjarrfikëse, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët po vijojnë punën për izolimin e tyre. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Gurë-Lurë, Dibër – Vijon një nga operacionet më të rëndësishme, me 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të FA-së, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Falë ndërhyrjes së forcave është vendosur nën kontroll perimetri pranë banesave dhe është evituar rreziku për djegien e tyre. Nga ajri kanë operuar 2 avionë Air Tractor, ndërsa puna vijon në dy drejtimet e tjera ku zjarri ruan intensitet.
Qafa e Helmes, Bulqizë–Dibër – Vatra vijon aktive në terren pyjor, me angazhimin e 10 efektivëve të MZSH-së, 6 forcave bashkiake dhe 6 forcave nga njësia administrative Selishtë.
Trojë, Mirditë – Për izolimin e vatrës janë angazhuar 13 efektivë të MZSH-së me 3 automjete zjarrfikëse, 36 forca bashkiake, 3 policë, 20 vullnetarë, si dhe 2 automjete zjarrfikëse dhe 30 efektivë të FA-së.
Shkodër – Vijojnë aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre; në Goraj-Budishtë nuk ka rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.
Elbasan – Mbeten aktive vatrat në Dardhë, bashkia Librazhd, ku operojnë MZSH, forcat pyjore dhe bashkiake, si dhe në Shalës, bashkia Cërrik. Në Dardhë nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në tërësi, operacionet vijojnë me angazhim të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në disa prej zonave më të ekspozuara është bërë e mundur mbrojtja e banesave dhe kufizimi i përhapjes së zjarrit. AKMC, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën dhe të koordinojë angazhimin e kapaciteteve sipas nevojës.”, njofton Ministria e Mbrojtjes.




