Rënia e masiveve të gurëve dhe dherave ka sjellë sërish probleme në aksin rrugor Librazhd–Hotolisht gjatë natës.
Ngjarja është shënuar rreth mesnatës, në afërsi të një kompleksi, rreth 2 kilometra larg qendrës së fshatit Hotolisht. Nga lartësia e kodrës janë shkëputur masive gurësh dhe dherash, të cilat kanë përfunduar në trasenë e rrugës kombëtare.
Për pasojë rruga është bllokuar, por fatmirësisht, në momentin e rrëshqitjes nuk ka pasur automjete që po kalonin në këtë segment.
Për rreth gjysmë ore, ky segment rrugor ka mbetur i bllokuar. Në vendngjarje janë grumbulluar edhe dhjetëra persona që ndodheshin në një prej lokaleve të kompleksit pranë zonës ku ndodhi rrëshqitja të cilët sinjalizuan autoritetet për ngjarjen.
Ky aks rrugor është përballur edhe më herët me probleme të ngjashme për shkak të terrenit të thepisur dhe rrëshqitjeve të masiveve shkëmbore. Vetëm pak javë më parë, në të njëjtën zonë, rënia e një masivi shkëmbor mbi një automjet i mori jetën një 42-vjeçari nga Gjergjani i Elbasanit.




