Temperaturat e larta dhe rreziku nga zjarret/ Bashkia Elbasan merr masa, dy zjarrfikëse vendosen në pika strategjike

ELBASAN, 9 gusht 2026 – Temperaturat e larta, thatësira dhe rreziku i shtuar për përhapjen e zjarreve kanë bërë që Bashkia Elbasan të forcojë masat parandaluese dhe gatishmërinë e strukturave zjarrfikëse.

Përmes një njoftimi, Bashkia bën me dije se, duke marrë në konsideratë edhe trafikun e rënduar që pritet gjatë ditës së diel, Ekipi Zjarrfikës ka marrë masa për të garantuar një reagim sa më të shpejtë në rast të ndonjë situate emergjente.

Në kuadër të këtyre masave, dy mjete zjarrfikëse janë pozicionuar në pika strategjike, një në Labinot-Fushë dhe një në Bradashesh. Sipas Bashkisë, vendosja e tyre në këto zona synon të afrojë shërbimet pranë zonave me risk dhe të reduktojë kohën e ndërhyrjes në rast zjarri.

Bashkia Elbasan u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të njoftojnë sa më shpejt autoritetet për çdo situatë të dyshimtë apo vatër zjarri.

“Në këto kushte, çdo minutë është e rëndësishme”, thekson Bashkia në njoftimin e saj.