Nëntë vatra zjarri në monitorim. Situata në shkallë vendi

TIRANË, 7 gusht – Nëntë vatra zjarri janë ndjekur gjatë ditës së sotme në zona të ndryshme të vendit, ndërsa autoritetet raportojnë për përmirësim të situatës dhe mungesë rreziku për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se ndërhyrja e koordinuar e strukturave operacionale nga toka dhe ajri ka ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e disa vatrave aktive.

Në zonën e Dajtit, zjarri është shuar pas ndërhyrjes së forcave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe mbështetjes nga helikopteri i Forcës Ajrore. Zona vijon të monitorohet, ndërsa edhe vatra në Priskë është shuar plotësisht.

Në Çikallesh të Bashkisë Kavajë, ndërhyrja e ekipeve zjarrfikëse nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga avioni “Air Tractor”, ka bërë të mundur izolimin e zjarrit.

Në zonat Riban, Ngraçan dhe Panahor të Bashkisë Mallakastër, flakët janë izoluar dhe perimetri vijon të mbahet nën monitorim nga strukturat përgjegjëse.

Një nga zonat më problematike ka qenë Plani i Bardhë në Bashkinë Klos, ku përhapja e zjarrit u favorizua nga era dhe rrezikoi banesa dhe infrastrukturën elektrike. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe efektivëve të Forcave të Armatosura, situata është vënë nën kontroll.

Ndërkohë, janë shuar plotësisht edhe zjarret në Kostren 2 të Bashkisë Berat dhe në Uruç të Bashkisë Peqin.

Në Alikomemaj të Bashkisë Memaliaj vijon operacioni për shuarjen e një vatre zjarri në një zonë me pisha, ndërsa autoritetet po monitorojnë të gjitha zonat e prekura për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.