Një aksident i rëndë në punë është regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një minierë në zonën e Tërnovës së Madhe, në bashkinë Bulqizë.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 13:00, shtetasi I. K., 40 vjeç, banues në Burrel, me detyrë minator/brigadier në një subjekt privat, dyshohet se ka rënë në një furnel gjatë procesit të punës.
Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari është mbuluar nga materiali i kromit. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e kërkim-shpëtimit dhe efektivët e Policisë, të cilët po punojnë për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur veprimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.




