Gropa të hapura, bulevard i dëmtuar dhe punime pa sinjalistikë, qytetarët kërkojnë përfundimin e investimit në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve

Screenshot

Punimet për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve vijojnë ende në qytet, ndërsa qytetarët shprehen se janë lodhur nga hapja dhe mbyllja e vazhdueshme e gropave, që sipas tyre po dëmtojnë rrugët dhe po krijojnë vështirësi në qarkullim.

Ata kërkojnë që, pas përfundimit të ndërhyrjeve, të bëhet sistemimi përfundimtar i të gjitha akseve rrugore, me fokus të veçantë në bulevardin kryesor të qytetit, i cili mbetet një nga segmentet më të amortizuara si pasojë e punimeve.

Shqetësim mbetet edhe mungesa e sinjalistikës gjatë zhvillimit të punimeve. Gjatë ditës së sotme, pranë rrethrrotullimit të “1 Majit”, një gropë e hapur për punime nuk ishte e pajisur me sinjalistikë paralajmëruese, duke krijuar rrezik për drejtuesit e automjeteve.

“Të të bëj një pyetje, ku je ton ti? Në Shqipëri apo Afganistan? Këta mendojnë çdo orë, ditë, javë, muaj dhe vit si të na vjedhin. Sa herë i kanë hapur dhe mbyllur gropat nuk tregon gjë tjetër, e bëjnë për të marrë lekë. Sinjalistika është e domosdoshme aty, s’mund të punohet pa lajmëruar shoferët se bëhet rrezik për aksident”, shprehet një qytetar.
Një tjetër qytetar thotë se ndërhyrjet po kryhen pa organizim dhe se gropat hapen e mbyllen vazhdimisht.

“Çdo ditë hapet nga një gropë e re, mbyllet përkohësisht, hapet prapë pas disa kohësh se i bëjnë punët shkel e shko. Kudo, p.sh. në Itali këto lloj punimesh bëhen natën, këtu i bëjnë në mes të ditës, pa sinjalistikë, pa asgjë, kjo përbën rrezik”, thotë ai.

Pakënaqësi shprehin edhe qytetarë të tjerë, të cilët ankohen për mungesën e informimit dhe reagimit nga institucionet.
“Asnjë lajmërim, asnjë sinjalistikë. Këtu s’di ku të ankohesh, le që dhe po u ankove s’ta merr për bazë njeri. Kështu bëhen punët në Shqipëri, ndaj janë larguar të gjithë”, u shpreh një qytetar.

Ndërsa një tjetër shton:
“Këtu s’ndalojnë së hapuri dhe mbylluri gropat që kur kanë nisur punimet. Nuk e di se kur do përfundojnë, rrugët janë copë-copë.”

Qytetarët kërkojnë përfundimin sa më të shpejtë të punimeve, sistemimin përfundimtar të rrugëve të dëmtuara, veçanërisht të bulevardit kryesor të qytetit, si dhe vendosjen e sinjalistikës në çdo zonë ku kryhen ndërhyrje, për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës.