Mijëra qytetarë u mblodhën sot në mbrëmje para Komisariatit nr. 3 në Tiranë, te rruga “Mine Peza”, për të kërkuar lirimin e 2 protestuesve të arrestuar të enjten para Parlamentit dhe që Gjykata i la në paraburgim.
Pas fjalimeve te Kryeministria ata marshuan tradicionalisht si përnatë edhe në ditën e 56-të të protestës, teksa u drejtuan te Komisariati, ku mbahen një vajzë dhe një djalë.
“Lironi shqipen, nuk jeni vetëm”, “Lironi trimat”, “Gjithë Shqipëria është me ju” ishin thirrjet e tyre njëzëri.
Gjithashtu ata kërkuan arrestimin e Ramës dhe Berishës, ndërsa apeluan për ndryshim sistemi dhe rrëzim të klasës së vjetër politike.
“Poshtë patronazhistët”, thirrën ata në kor dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Gjatë protestës së ditës së enjte te Parlamenti, Policia shoqëroi të paktën 23 persona nëpër komisariate, teksa dy prej tyre u arrestuan.




