Poliia ka forcuar masat e sigurisë pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë, përpara protestës së paralajmëruar për ditën e sotme nga një grup qytetarësh.
Në zonën përreth Parlamentit janë vendosur barriera metalike dhe është zgjeruar perimetri i kontrollit nga forcat e rendit. Në kryqëzimin e Rrugës së Elbasanit është ngritur një gardh sigurie, ndërsa lëvizja e automjeteve dhe e qytetarëve në disa segmente është kufizuar.
Sipas policisë, masat janë marrë me qëllim garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e fluksit të pjesëmarrësve gjatë zhvillimit të tubimit.
Vendimi për shtimin e kontrolleve vjen pas protestës së mëparshme pranë Kuvendit, e cila u shoqërua me tensione dhe incidente, ku disa pjesëmarrës hodhën sende në drejtim të automjeteve dhe deputetëve.
Forcat e rendit do të vijojnë monitorimin e situatës gjatë gjithë zhvillimit të protestës, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të respektojnë rregullat dhe të shmangin çdo akt që mund të cenojë rendin publik.




