Aksident i rëndë, 31-vjeçari dërgohet me urgjencë te Trauma

Një 31-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e një aksidenti rrugor të regjistruar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në aksin Lezhë–Shëngjin, pranë zonës së njohur si Lapidari.

Sipas informacioneve paraprake, shtetasi me inicialet K.G., banues në Shëngjin, ishte duke drejtuar një automjet tip “Audi” kur humbi kontrollin e mjetit. Për pasojë, automjeti u përplas fillimisht me një mur rrethues dhe më pas me dy automjete të parkuara pranë rrugës.

Si rezultat i përplasjes së fortë, 31-vjeçari ka pësuar fraktura të shumta. Ai mori ndihmën e parë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar.

Në vendngjarje ndërhynë menjëherë shërbimet e Policisë, të cilat kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedurat për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Sipas dyshimeve paraprake, shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e lartë, e cila dyshohet se i ka bërë drejtuesit të humbë kontrollin mbi automjetin. Megjithatë, shkaku i saktë i ngjarjes do të përcaktohet pas përfundimit të hetimeve.