Himarë, 22 korrik 2026 – Një punonjës i OSHEE-së, 55 vjeç nga Elbasani, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në Himarë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, pasi moti i keq dhe erërat e forta kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të qytetit. Viktima ishte dërguar nga Elbasani për të mbështetur ekipet lokale të OSHEE-së në rikthimin e furnizimit me energji.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë punimeve për eliminimin e avarisë, 55-vjeçari ka humbur jetën. Dyshimet e para janë se ai mund të jetë goditur nga rryma elektrike, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Gjithashtu, pritet edhe ekspertiza teknike, e cila do të përcaktojë shkaqet e këtij aksidenti tragjik në punë.




