Rama- protestuesve: Delirantë, injorantë dhe dështakë-zemërakë! Nuk kthehet më përmbys ky sistem, edhe pse duan ta kthejnë disa korba

TIRANË- Në një reagim të fortë kundër protestave dhe thirrjeve për dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë çdo mundësi të ndryshimit të sistemit përmes rrugës së sheshit, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj protestuesve.

Në një komunikim live në rrjetet sociale, Rama u shpreh se përpjekjet e fundit nuk do të sjellin kurrë rëzimin e strukturës politike, duke i cilësuar kritikanët dhe protestuesit me terma të rëndë.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit dhe hapësira e bulevardit, ai shtoi se reflektimi i tij personal do të vijojë në ditët në vijim, por ndarja mes dy vizioneve mbetet e qartë.

“Nuk kthehet më përmbys ky sistem, edhe pse duan ta kthejnë disa korba. Për çfarë kam reflektuar personalisht nga pasqyra e bulevardit të flamingove është temë tjetër dhe do ta ndaj me të gjithë në ditët në vijim. Por ai bulevard është për mua qartësisht i ndarë. Historia e flamingove është historia e Shqipërisë së re, ndërsa historia e sorrave nuk ka lidhje me të ardhmen, është vetëm e shkuara që vjen në forma shumë të rrezikshme dhe shqetësuese, po të shohim historinë. Ekstremet e majta e të djathta që vijnë për të sjellë përmes delirantësh, injorantësh dhe dështakë-zemërakësh, më të keqen. Sorrat e korbat shajnë e ofendojnë dhe ju duket se po ndryshojnë botën, asgjë nuk ndryshojnë ata”, deklaroi ai.