Temperaturat e larta po ndihen gjithnjë e më herët në Elbasan. Qytetarët thonë se vitet e fundit vapa nuk kufizohet më vetëm në muajt e verës, por nis që në maj, ndërsa temperaturat arrijnë vlera më të larta se më parë.
“Në muajt më të nxehtë temperatura nuk shkonte më shumë se 36 gradë Celsius. Tani arrin deri në 38 gradë që në qershor”, shprehet një qytetar.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe një i moshuar, i cili thotë se korriku ka qenë gjithmonë muaji më i nxehtë, por sipas tij tashmë i nxehti i padurueshëm nis që në maj.
Qytetarët rendisin betonizimin dhe pakësimin e hapësirave të gjelbra si ndër shkaqet kryesore të kësaj situate. Sipas tyre, numri i pemëve është i pamjaftueshëm, ndërsa sipërfaqet e gjelbëruara po zëvendësohen me ndërtime.
“Nuk mbjellin pemë, por i presin për të bërë beton. Edhe Parku ‘Rinia’, që dikur ishte një hapësirë e gjelbër, sot është mbushur me beton”, shprehet një prej banorëve.
Përveç mungesës së gjelbërimit, qytetarët ngrenë shqetësimin edhe për mungesën e ujit në çezmat publike, duke theksuar se gjatë ditëve me temperatura të larta ato nuk mjaftojnë për nevojat e kalimtarëve.
Banorët kërkojnë më shumë investime në shtimin e hapësirave të gjelbra, mbjelljen e pemëve dhe përmirësimin e infrastrukturës publike, si masa që, sipas tyre, do të ndihmonin në zbutjen e efekteve të temperaturave të larta në qytet.




