Reagime kundër bashkimit të Prrenjasit me Librazhdin, vijon debati për reformën territoriale

Propozimi që Bashkia Prrenjas të bashkohet me Bashkinë Librazhd në kuadër të reformës së re territoriale ka nxitur reagime të shumta në zonë, kryesisht nga përfaqësues të politikës së djathtë, të cilët e kundërshtojnë këtë mundësi dhe e konsiderojnë Prrenjasin një bashki me identitet të konsoliduar historik, ekonomik dhe administrativ por ka edhe personalitete te ndryshme qe e kane cilesuar kete bashkim si humbje per Prrenjasin.

Deri më tani, Prrenjasi është e vetmja bashki në qarkun e Elbasanit që është përmendur publikisht si pjesë e një skenari për bashkim me një njësi tjetër vendore, konkretisht me Bashkinë Librazhd.

Ndër reagimet më të fundit është ai i Valter Hanës, koreograf prane Qendres Kulturore Prrenjas, i cili thekson se Prrenjasi dhe njësitë e tij administrative përfaqësojnë një trevë me vlera të veçanta historike, kulturore dhe natyrore.

“Prrenjasi – zemra e historisë, traditës dhe natyrës së Shebenikut e Sopotit. Prrenjasi, së bashku me Rrajcën, Bërzeshtën, Qukësin dhe Stravajn, është një trevë me vlera të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe natyrore,” shprehet Hana.

Sipas tij, zona lidhet me gjurmët e Gjergj Kastriot Skënderbeut, rrugën antike Egnatia, pasuritë minerare, Parkun Kombëtar Shebenik dhe trashëgiminë e pasur kulturore e folklorike të krahinës.

Ai argumenton se një bashki me një histori të tillë nuk duhet të humbasë statusin e saj administrativ.

“Një Bashki me kaq shumë histori dhe peshë në identitetin e vendit nuk mund të fshihet me një vendim. Prrenjasi ka përballuar sfida shumë më të mëdha ndër shekuj dhe ka ditur gjithmonë të ruajë emrin, historinë dhe krenarinë e tij. Historia nuk fshihet. Tradita nuk shuhet. Rrënjët nuk shkëputen. Prrenjasi është vetë Bashki e Madhe”, përfundon reagimi i tij.

Edhe përfaqësues të tjerë të opozitës kanë shprehur rezerva ndaj çdo ndryshimi që prek hartën administrative të Prrenjasit, duke argumentuar se vendimmarrja duhet të mbështetet në konsultim me qytetarët dhe në analiza të qarta mbi ndikimin që një bashkim i tillë do të kishte në shërbimet publike, zhvillimin ekonomik dhe përfaqësimin lokal.

Ndërkohë, deri në këtë fazë nuk ka një vendim përfundimtar për reformën territoriale, ndërsa diskutimet vijojnë në nivel politik dhe institucional.

Po ju si mendoni?

A duhet Bashkia Prrenjas të bashkohet me Bashkinë Librazhd në kuadër të reformës territoriale, apo duhet të mbetet një njësi vendore më vete?

Shprehni mendimin tuaj në komente.