ELBASAN – Një konflikt për motive të dobëta, i ndodhur në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi”, ka përfunduar me plagosjen e një 59-vjeçari me mjet prerës. Policia e Elbasanit ka identifikuar dhe arrestuar menjëherë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Sipas Policisë, menjëherë pasi në Spitalin Rajonal të Elbasanit u paraqit për ndihmë mjekësore një 59-vjeçar i plagosur me thikë, shërbimet policore nisën veprimet hetimore dhe operacionale, duke bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar.
Në pranga ra shtetasi M. A., 43 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me thikë shtetasin R. B., 59 vjeç.
Policia bën me dije se është arrestuar edhe i dëmtuari për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi nuk ka pranuar të japë shpjegime për rrethanat e ngjarjes.
59-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve dhe, sipas burimeve zyrtare, është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë veprimeve hetimore, uniformat blu sekuestruan edhe mjetin prerës, që dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.




