Foto-galeri nga protesta në Tiranë: Hallvë simbolike në ditën e 40-të të tubimeve

Në protestën e zhvilluar në Tiranë, organizatorët shpërndanë hallvë si një akt simbolik në ditën e 40-të të tubimeve qytetare.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimin: “Të 40-at e vdekjes së frikës së shqiptarëve ndaj klasës së kalbur politike 36-vjeçare në Shqipëri”, duke e paraqitur hallvën si simbol të “fundit të frikës” dhe të vazhdimit të angazhimit të tyre qytetar.

Sipas organizatorëve, hallva u prit pozitivisht nga shumë pjesëmarrës, të cilët e interpretuan gjestin si një shprehje të shpresës për liri dhe ndryshim.

Në vendngjarje, protestuesit ua ofruan hallvën edhe efektivëve të Policisë së Shtetit të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit. Megjithatë, sipas organizatorëve, efektivët nuk pranuan ta provonin.

Foto-galeria sjell momente nga kjo protestë, ku krahas pankartave dhe marshimit, vëmendje tërhoqi edhe ky gjest simbolik i organizatorëve.