Aventura e Kristjan Asllanit te Beshiktashi ka marrë fund. Klubi turk ka falënderuar mesfushorin e Kombëtares shqiptare për kontributin e dhënë gjatë periudhës së huazimit, ndërsa nga 1 korriku ai është rikthyer zyrtarisht në radhët e Interit.
Në një postim në rrjetet sociale, Beshiktashi i ka uruar Asllanit suksese në vazhdim të karrierës, duke mbyllur bashkëpunimin mes palëve.
Mesfushori 24-vjeçar nuk pritet të qëndrojë gjatë te Interi. Kaljari vazhdon të shfaqë interes për transferimin e tij, ndërsa edhe Beshiktashi mund të rikthehet në garë nëse klubi zikaltër ul kërkesën financiare.
Klauzola prej 11 milionë eurosh për blerjen përfundimtare të kartonit nuk u aktivizua, ndërsa Asllani nuk bën pjesë në planet e trajnerit Kristian Kivu. Për këtë arsye, një transferim i ri gjatë merkatos së verës mbetet skenari më i mundshëm.




