Renato Haxhiaj emërohet nënkryetar i Bashkisë Elbasan

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, ka emëruar Renato Haxhiaj në detyrën e nënkryetarit të Bashkisë Elbasan, duke i besuar një prej pozicioneve më të rëndësishme të administratës vendore.

Haxhiaj vjen në këtë detyrë me një përvojë të konsoliduar në gazetari, komunikim publik, marrëdhënie me publikun, marketing digjital dhe zhvillim institucional. Karriera e tij shtrihet në media, institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile, ku ka mbajtur role drejtuese dhe koordinuese në projekte të ndryshme.

Në vitet e fundit ai ka ushtruar detyrën e specialistit të Njësisë së Zhvillimit dhe instruktorit të Marketingut Digjital pranë Qendrës së Formimit Profesional Publik Elbasan. Në këtë funksion është angazhuar në zhvillimin institucional, komunikimin publik, organizimin e aktiviteteve promovuese, koordinimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian dhe mësimdhënien në fushën e marketingut digjital.

Më herët, gjatë periudhës 2019–2021, Haxhiaj ka qenë Koordinator i Mediave Sociale pranë International Co-operative Center, ku është marrë me administrimin e portalit institucional, komunikimin publik dhe menaxhimin e platformave sociale.

Një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij lidhet me median. Nga viti 2015 deri në vitin 2018 ai drejtoi Albania Studio si drejtor, duke koordinuar stafin, platformat mediatike dhe strategjitë e komunikimit. Paralelisht, gjatë viteve 2012–2018, ishte koordinator i mediave online dhe rrjeteve sociale për portalin Elbasani Plus, Radio Albania FM dhe platformat përkatëse digjitale.

Po gjatë kësaj periudhe, nga viti 2012 deri në vitin 2015, Haxhiaj mbajti postin e kryeredaktorit të gazetës “Mendimi” dhe Radio Albania FM, ku drejtoi procesin editorial, redaktimin e materialeve informative dhe koordinimin e stafit gazetaresk. Karrierën në gazetari e nisi në vitin 2009 me praktikën profesionale në News24, duke raportuar kryesisht për çështje ekonomike.

Përveç angazhimit në media dhe administratë, ai ka kontribuar si trajner dhe ekspert i mediave sociale në projekte të fokusuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm (CVE), duke zhvilluar trajnime mbi komunikimin publik dhe përdorimin profesional të platformave digjitale.

Në aspektin akademik, Renato Haxhiaj është diplomuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ku ka përfunduar studimet Bachelor në Gazetari, Master Profesional në Redaktori dhe Master Shkencor në Marketing. Gjithashtu ka ndjekur trajnime të shumta profesionale në fushën e marrëdhënieve me publikun, menaxhimit të mediave, komunikimit digjital dhe rolit të medias në luftën kundër gjuhës së urrejtjes.

Ai zotëron njohuri të avancuara në teknologjitë dhe platformat digjitale, përfshirë Microsoft Office, WordPress, Adobe Photoshop dhe Adobe Audition, si edhe administrimin profesional të rrjeteve sociale. Gjithashtu flet gjuhën angleze dhe italiane në nivel B2.

Emërimi i Renato Haxhiaj në postin e nënkryetarit të Bashkisë Elbasan konsiderohet një përforcim i administratës vendore me një profil profesional të formuar në fushat e komunikimit, menaxhimit dhe zhvillimit institucional, kompetenca që pritet të kontribuojnë në përmirësimin e marrëdhënieve me qytetarët, promovimin e projekteve zhvillimore dhe rritjen e eficiencës së administratës lokale.