Gjykata e Durrësit cakton “arrest në burg” për autorin e dyshuar të vrasjes në Kavajë

DURRËS – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin M. Rr., i dyshuar për përfshirje në një ngjarje të rëndë kriminale në Kavajë.

Çështja penale me nr. 439 është shqyrtuar në seancë gjyqësore më 28 qershor 2026, nën drejtimin e gjyqtarit të gatshëm Elvis Sulejmani.

Sipas vendimit të gjykatës, është vleftësuar si i ligjshëm arresti në flagrancë i personit nën hetim, i cili dyshohet për kryerjen e veprave penale “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara nga nenet 79/c dhe 279/2 të Kodit Penal.

Gjykata ka vendosur gjithashtu caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, në bazë të nenit 238 të Kodit të Procedurës Penale, duke urdhëruar ekzekutimin e vendimit nga Prokuroria e Durrësit në bashkëpunim me policinë gjyqësore.

Ndaj vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit brenda 5 ditëve nga komunikimi i arsyetuar i vendimit.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja lidhet me vrasjen e Eqerem Rreshkës, ndërsa i dyshuari për krimin është identifikuar si Muhamet Rreshka. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë nga organet kompetente.