Përplaset me makinë, humb jetë polici në pikën kufitare

KOSOVË – Një efektiv i Policisë së Kosovës ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare të Vërmicës.

Viktima është identifikuar si Rexhep Gashi, i cili, sipas autoriteteve, u përplas nga një automjet teksa ishte në kryerje të detyrës.

Policia e Kosovës bëri të ditur se ngjarja është raportuar rreth orës 02:40, ndërsa në vendin e aksidentit kanë mbërritur menjëherë njësitë përkatëse policore dhe ekipet e emergjencës.

Mjeku kujdestar konstatoi vdekjen e efektivit në vendngjarje.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e obduksionit, ndërsa drejtuesi i automjetit të dyshuar është ndaluar dhe është dërguar në mbajtje.

Rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende nën hetim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.:::