“Të dënuarit duhet të bëjnë durim edhe 25 ditë” – Pse po vonohet shpallja e Amnistisë Penale?!

Juristi Bledi Dervishaj ka bërë një reagim për vonesën në shpalljen dhe publikimin e Amnistisë Penale, duke njoftuar të gjithë të dënuarit dhe personat e tjerë që mund të përfitojnë, se duhet të bëjnë durim edhe 25 ditë.

Ai analizon të gjithë rrugën që duhet të ndjekë miratimi i një ligji, por sqaron se çuditërisht amnistia nuk ka ndjekur asnjë gjurmë, duke nisur së pari me shpalljen në Fletoren Zyrtare, shqyrtimin, dërgimin në Presidencë, etj.

Shkruan juristi Bledi Dervishaj

Përse po vonohet, shpallja, publikimi dhe hyrja në fuqi e ligjit Nr. 57/2026 “PËR DHËNIE AMNISTIE”?

Për kujtesë në fundvitin e shkuar 2025, u bë publik lajmi se qeveria do të bëjë amnisti penale dhe nga kjo do të përftojnë shumë persona të cilën do të fitonin lirinë e menjëhershme. Pastaj, duket sikur kjo iniciativë humanizmi u la në harresë për disa muaj.

Më pas në 9 shkurt 2026, u depozitua në Kuvend nga qeveria, projektligji për dhënie amnistie.

Kaluan prapë, jo pak por edhe 4 muaj të tjerë derisa ky projektligj mori dritën jeshile të shqyrtimit.

Disa prej personave që mund të ishin liruar nëse ky ligj do ishte miratuar sipas premtimit, e kryen dënimin dhe ndoshta janë liruar, disa të tjerë presin ende, disa të tjerë kanë fituar statusin e përfituesit çka lidhet me momentin se kur ky ligj hyn në fuqi.

E megjithatë, më në fund, Kuvendi në datë 18 qershor 2026, miratoi Ligjin nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie”.

Është e pritshme që në të tilla raste, asnjë prej institucioneve të mos vonohet, por të realizojë shpalljen dhe publikimin në Fletoren Zyrtare të ligjit, pasi nga ai moment duhen dhe 15-ditë që ligji të hyjë në fuqi dhe të zbatohet.

Pikërisht nga ai moment për 15-ditë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ajo e Shërbimit të Provës, Prokuroria dhe Gjykata, nisin të vlerësojnë dosjet që kanë në proces duke identifikuar personat, të dënuar, të dyshuar, nën hetim, preket apo jo nga aministia. Jo me më pak interes presim dhe ne, avokatët, personat që përfaqësojmë, apo familjarët e tyre.

Pra, të gjithë presin, që ligji të botohet dhe të hyjë në fuqi.

Deri më sot, asnjë gjurmë nuk ka në fletoren zyrtare për publikimin e këtij ligji të shumëpritur.

Atëherë, dikush e ka marrë me shumë nge shqyrtimin dhe/apo publikimin e ligjit.

Vizitova faqen e Qendrës së Botimeve Zyrtare, nuk ka asnjë gjurmë botimi të ligjit. Fletorja Zyrtare e fundit e botuar është nr. 134 dhe ligji i fundit i publikuar është ligji nr. 55/2026.

Vizitova faqen e Kuvendit të Shqipërsië dhe më rezultoi se Kuvendi e ka zbardhur draftin e votuar të ligjit dhe i ka vendosur dhe numër ligjit nr.57/2026, e kështu mendoj se ligji është dërguar në Presidencë për dekretim dhe shpallje sipas rregullit.

Vizitova faqen zyrtare të Presidentit, dhe më rezultoi se dekretimi i ligjeve të Kuvendit, ka ecur në rend kronologjik me shpalljen e ligjit deri tek ligji nr. 56/2026.

Ligji nr. 57/2026 ende nuk është shpallur. Ose ky ligj ende nuk i ka shkuar Presidencës, ose është ende në shqyrtim prej tyre.

Fakt, është që deri më sot, 1 javë pas miratimit të tij, ligji Nr. 57/2026 “PËR DHËNIE AMNISTIE” ende nuk është publikuar, ndaj çdokush që fatin e tij personal apo rutinën profesionale e ka të lidhur me këtë ligj, do të duhet të presi edhe pak ditë. Maksimumi edhe 25 ditë. Ndaj, durim!

Megjithatë, prapë nuk arrij ta kuptoj, se çfarë arsyesh mund të ketë që të vonohet shpallja, publikimi dhe rrjedhimisht hyrja në fuqi e këtij ligji që udhëhiqet nga parimet e humanizmit.

Sinqerisht, nuk arrij ta kuptoj.